Shqipëria dhe Maqedonia ndajnë të njëjtin mendim sa i përket nevojës dhe domosdoshmërisë për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe infrastrukturor përmes projekteve konkrete. Kjo u theksua në një takim që Presidenti shqiptar Ilir Meta kishte me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev.
Nga ana e tij, Meta vlerësoi angazhimin e Zaevit për të ndërtuar një linjë hekurudhore mes dy vendeve, duke e konsideruar këtë si një investim strategjik për të ardhmen, me ndikim jo vetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë, por për të gjithë rajonin.
Nga ana tjetër, Zaev theksoi se Maqedonia po kalon procese të rëndësishme duke u përqëndruar në krijimin e një shoqërie multietnike me të drejta të barabarta.
“Pas zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe miratimit të ligjit për gjuhën shqipe, pas përfundimit të suksesshëm të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe finalizimit të një numri reformash, Maqedonia tani shpreson të realizojë ëndrrën e saj për pranimin në NATO dhe progres në procesin e integrimit evropian, “tha ai.
Në fund të takimit të tyre, Meta dhe kryeministri Zaev theksuan nevojën për të intensifikuar përpjekjet e tyre për të finalizuar reformat e nevojshme që do të lejonin nisjen e bisedimeve të pranimit në BE në qershorin e ardhshëm. /ibna/