Meti Disha është poet nga Shqipëria i cili deri tash ka botuar veprat poetike “Të gjithë do ta dinë dhe do të heshtin”, “Të mjaftueshmëve me gjëra të vogla”, si dhe ka qenë pjesë e antologjisë “Poezi dhe Ajër”. Meti ishte pjesë e aktivitetit poetik “Fjollë dashnie” të mbajtur në Lezhë, ku poezinë e tij “Për të thjeshtën”, juria e përzgjodhi fituese. Ai momentalisht jeton në Tiranë.
Është diskutuar shumë se ç’është poezia. Madje nuk mund të themi as që kemi një definim të saktë për të. Tek ligjërata “Enigma e poezisë”, Borges është i mendimit se njeriu nuk mund t’i definojë dy lloje gjërash: ato që i njeh shumë mirë dhe ato që nuk i njeh fare. Pra, njeriu sipas kësaj mund të definojë vetëm gjërat për të cilat ka njohuri të pakët ose mesatare për to. Si do ta definonit ju poezinë, ose thënë më mirë ç’është poezia për ju?
Unë e di mirë se çfarë nuk është poezia për mua, ajo nuk është thjesht një hobi, kurrsesi nuk ka të bëjë fort me pasionin dhe as me kënaqësinë artistike. Gjithçka që mund të them rreth një përkufizimi të poezisë do të përmblidhej në pak fjalë kështu: poezia është një pjesë e llojit të paktë të diturisë që nuk i përftohet mendjes, por ajo rreh të bashkojë mendjen, zemrën e shpirtin njerëzor rreth një njohurie tjetër ku gjithçka rrjedh ahengshëm, ku dhembja është e përballueshme dhe ku lumturia është rrugë e gjatë. Ajo është një proces i zorshëm i fermentimit të jetës në boshtin ne qenies njerëzore dhe vetëm nëpërmjet një procesi të tillë duhet të vijë në jetë.
Tashmë në letërsinë shqipe njiheni si poet. Kur filluat të shkruani poezi për herë të parë dhe çfarë keni shkruar fillimisht?
Të cilësohesh poet është gjithnjë një epitet që duhet të ta japin lexuesit, unë kurrë nuk e kam quajtur e as nuk e quaj veten të tillë. E cilësoj veten pak a shumë si një njeri që ka përjetuar shumë dhe që me fillesën e përjetimeve, kam ndjerë nevojën të shkruaj në lidhje me to, pra që në vegjëli, të themi pas moshës 10 vjeçare, kam shkruar poezi për veten, për të kuptuar gjërat.
Në një poezi që keni, thoni: unë e di, se mërgimtarët fort i merr malli për vendin e tyre, por ju them që është më e zorshme të të marrë malli për atdheun tënd në atdheun tënd, përveç këtyre vargjeve, shumë nga poezitë e tjera që keni shkruar janë kritikë ndaj shoqërisë e sistemit. Çfarë ju dëshpëroi kaq shumë?
Më mërzit fakti që njeriu është kaq i lexueshëm, e kam fjalën, është i parashikueshëm, e prapë ai përsërit veten rreth qarkut të së keqes, pa mundur të dalë jashtë atij rrethi. Kjo më ka bërë përshtypje të thellohem në psikozën e masës, duke përsiatur rreth shkakut se çfarë i orienton ato dhe përse ndodh që njeriu të ndihet i huaj edhe në vendin e vet. Mendoj se poezia ime këtu e ka boshtin e saj.
“nuk vonoj kur më thërret Zoti,- dhe shkoj në punë i vonuar si gjithnjë, atje në zyrën e një redaksie ku dikur ka punuar ervin hatibi, dhe ai: një qen i trishtë q’e lodhnin oraret; e ndiej se po shkel mbi gjurmë të pluhrosura”, janë disa nga vargjet e juaja. Këtu e vërejmë lidhjen tuaj më Zotin, njësoj siç e ka Ervini. Përveç vendit të punës, edhe vonesën në punë e ke të njëjtë si Ervini, të cilin e akuzonte dikur redaksia e tij për vonesa në punë. Stilin e keni thuajse njësoj. Rebelimi përmes vargut ngjason mes jush. Cila është lidhja e juaj me Ervinin?
Rumi do të thoshte: “Nuk kuptohen dy bashkëfolës të së njëjtës gjuhë, por dy bashkëvuajtës të së njëjtës ndjenjë.” Ky verdikt na bashkon ne poetëve, na lidhin brengat e njëjta. Hatibin e kam lexuar dhe vazhdoj ta lexoj me ëndje, si një nga poetët më të mprehtë dhe vëzhgues i shoqërisë shqiptare dhe poet i revoltës së brendshme. Kështu, shpesh, ndjej se ne poetët duhet të ecim në gjurmët e njëri-tjetrit për të kuptuar mirë kohën dhe hapësirat e saj.
Secili autor ndikohet nga dikush. Qoftë me qëllim apo edhe pavetëdijshëm, që sidoqoftë nuk ka gjë të keqe. Ju jeni ndikuar nga ndonjë autor?
Janë shumë autorë që kanë ndikuar në formimin tim si poet dhe si njeri. Dua të them se në lëmën e poezisë, ka ndikuar jashtë mase te unë Naim Frashëri, Migjeni dhe Hafiz Ali Korça.
Cila është sfida e të qenit poet në Shqipëri në këtë kohë ku bota përveç dinamizmit e digjitalizimit, ka ndryshuar edhe në shumë sfera tjera?
Është e zorshme t’u thuash njerëzve të vërtetën. Gjithmonë ata që kanë mbrojtur të vërtetën janë cilësuar si armiq, shpesh nuk u ka besuar kush dhe janë ndjerë të vetmuar. Njerëzit sot pak e duan poezinë e vërtetë, ata duan gjëra të gënjeshtërta, iluzione që do të përmbushin dëshirat e shpirtërave të tyre të dehur për një fije nga kënaqësia e çastit. Ndërsa poezia, i tran ndërgjegjet, i shkund zemrat dhe i kalit mendjet, ndaj edhe sot terreni është i vështirë.
Poezia e juaj është e mbushur me trishtim, vuajtje, dhimbje e nostalgji. Si ndjeheni kur të mbaroni shkrimin e një poezie? Ndjeni çlirim?
Ndihem sikur të jetë hequr prej meje një dhëmballë e cila ka dy javë që dhemb. Ndihem mirë, qetë, por sigurisht gjuha shkon tek vendi i zbrazët prej nga është hequr dhëmbi. Ndihesh mirë kur poezisë i ke dhënë prej vetes, në mënyrë që ta lexojë dikush që ka nevojë për atë copëz që Zoti e ka bërë të mundur të dalë prej teje.
Kritika ka vlerësuar se poezitë tuaja janë thuajse autobiografike duke u nisur nga ajo se poezia është elementi më autobiografik i shkruesit të saj. Pajtoheni me këtë konstatim?
Absolutisht po, shkruaj prej vetes, gjithçka që shpirti im pjek, gatuaj me ndjenjat bukë për ata që kanë uri të kësaj forme. Prandaj gatuaj rrallë, pra shkruaj pak.
Mund t’i propozoni tri libra që duhet patjetër t’i lexojë lexuesi ynë sipas jush.
Për ata që duan të njihen me poezinë, këshilloj tri vepra poetike:
- Homo Antarcticus – Luljeta Lleshanaku
- Transkript nga krevati tjetër – Ervin Hatibi
- Poezi – Rudian Zekthi
A mund të na tregoni se cilat janë planet e juaja për të ardhmen, jeni duke shkruar diçka?
Me librin e fundit të botuar nga shtëpia botuese Albas, të titulluar “Të mjaftueshmëve me gjëra të vogla” mendoj se për një farë kohe e kam përmbushur misionin tim si poet, ndaj edhe për momentin nuk kam ndonjë plan për të shkruar. Më duhet kohë për të përpunuar ndonjë vepër tjetër, ku, me shumë mundësi, nuk do jetë më poezi. Megjithatë, kjo mbetet për të ardhmen…/FolDrejt/