Nuk ka asgjë më acaruese se të dëshirosh flokë të gjatë, ndërkohë që sapo i ke prerë deri tek shpatullat. Pavarësisht se extensions na “shpëtojnë” për të arritur gjatësinë e dëshiruar, ato kurrë nuk do të duken reale.
“Mjeku i flokëve”, David Salinger thotë për Mamamia se në kushte normale, flokët duhet të rriten deri në 1.25 centimetra në muaj. Ai së bashku me naturopaten Annalies Corse shpjegojnë faktorët që mund të ndikojnë në rritjen e flokëve dhe se çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar në rritjen e shpejtë të tyre.
Si ndikon dieta te flokët
Flokët janë të përbër nga proteina me squfur të lartë, keratin, burimi i të cilës mund të gjendet në mish, shpendë, frutat e detit dhe vezë. Corse thotë: “Gjatë eksperiencës sime kam kuptuar që flokët rriten më shpejt te personat që konsumojnë ushqime me bazë shtazore”.
Kjo ndodh pasi këto ushqime përmbajnë 9 aminoacide esenciale, të cilat trupi jonë nuk është në gjendje t’i bëjë vetë, ndërsa vezët janë burim i pasur i proteinave me squfur të lartë.
Hormonet mund të ndikojnë në rritjen e flokëve
Nëse vërejmë që flokët nuk po rriten sa zakonisht, atëherë të konsultohemi me mjekun në mënyrë që tw përjashtojmë ndonjë mundësi të problemeve të hormoneve. Gjithashtu ka rezultuar se disa lloje kontraceptivësh oral mund të ndikojnë negativisht te flokët, veçanërisht nëse kemi trashëguar gjenetikisht rënien e flokëve.
Nëse femrat përdorin shumë testosterone, ka mundësi që të përjetojnë rritjen e qimeve në fytyrë dhe rënien e tyre në kokë. Por medikamentet që kanë antiandrogjenikë mund t’i bllokojnë efektet e këtij hormoni.
Stresi lidhet me rënien e flokëve
Sipas nutricionistes Jessica Sepel, nëse nuk e menaxhojmë dot nivelin e stresit, atëherë do të mund të përjetojmë rënien e flokëve dhe mosrritjen më të tyre. Ndaj dhe duhet të bëjmë ushtrime për të liruar stresin dhe të bëjmë ato ç’ka na pëlqejnë të bëjmë.
Si mund të ndihmojnë suplementet?
Nutricionistja gjithashtu thekson rëndësinë e përfshirjes së hekurit në nivelet e duhura, pasi pa këtë mineral jetësor mund të përjetojmë humbjen e flokëve.
“Bëni një analizë gjaku dhe shikoni nëse niveli i ferritinës është rreth 70. Për të rritur nivelin e hekurit konsumoni më shumë fruta dhe perime jeshile, mish të kuq dy herë në javë ose investoni në një suplement të kualitetit të lartë”, shpjegon Sepel.
Suplementet me minerale rekomandohet të përfshijnë zinkun dhe silikonin. Nutricionistja këshillon që personat që vërejnë rënie të flokëve të konsumojnë një suplement me shumë minerale çdo ditë, për 3 muaj.