Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në fjalimin e tij në parlamentin ukrainas ka siguruar se Evropa do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në rrugën e saj drejt lirisë dhe pavarësisë. Teksti i fjalimit të tij u publikua nga shërbimi për shtyp i parlamentit ukrainas, transmeton Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
Në fillim të fjalimit, Presidenti i Këshillit Evropian shprehu ngushëllimet e tij në lidhje me rrëzimin e helikopterit në Brovary.
“Për gati një vit, bota e ka parë me tmerr luftën e zhvilluar kundër vendit tuaj. Ne jemi të tmerruar nga vuajtjet e popullit tuaj, jemi të tmerruar nga shkatërrimi i qyteteve tuaja dhe të tmerruar nga brutaliteti i Rusisë, së fundmi në Soledar, në Bakhmut dhe në shumë qytete e fshatra të tjerë. Sulmi i Rusisë në një ndërtesë apartamentesh në Dnipro, duke vrarë dhjetëra, është krimi i fundit në një listë të gjatë krimesh. Për gati një vit, Kremlini ka vrarë qytetarët tuaj, ka shkatërruar infrastrukturën tuaj dhe ka shkatërruar qytetet tuaja, duke synuar pikërisht të drejtën tuaj për të ekzistuar. Pse? Sepse ju ushtruat të drejtat tuaja si ukrainas të lirë, ju u ngritët për të zgjedhur rrugën tuaj dhe fatin tuaj, ju zgjodhët demokracinë, ju zgjodhët Evropën”, tha Michel.
Ai theksoi se kjo është më shumë se një luftë – “kjo është një strategji e shkatërrimit sistematik, për t’ju detyruar të nënshtroheni, për ta detyruar vendin tuaj të shndërrohet në një shtet vasal”.
“Dhe kjo strategji do të dështojë. Ukraina është e pathyeshme, ukrainasit janë të bashkuar, të guximshëm dhe me të drejtë krenarë. Unë ëndërroj që një ditë, shpresoj së shpejti, një ukrainas do të mbajë detyrën time si President i Këshillit Evropian, ose si President i Parlamentit Evropian, ose si President i Komisionit Evropian. Ne e dimë se ju dëshironi t’i jepet fund kësaj lufte dhe BE-ja e ndan këtë qëllim me ju. Prandaj ne mbështesim nismën e Presidentit Zelensky për planin e paqes prej 10 pikash. Brenda pak ditësh do të mbajmë një Samit BE-Ukrainë me presidentin tuaj. Ne do të diskutojmë të gjitha fushat e mbështetjes sonë për vendin tuaj, si në rezistencën tuaj të guximshme kundër Rusisë ashtu edhe në rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian”, tha Michel.
Ai gjithashtu theksoi se nuk mund të ketë Evropë të pavarur dhe të sigurt pa një Ukrainë të pavarur dhe të sigurt, kështu që Bashkimi Evropian do të ofrojë ndihmë për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Sipas mendimit të tij, Ukraina patjetër do të rifitojë lirinë e saj.
Siç është raportuar, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel mbërriti në Kiev më 19 janar për t’u takuar me udhëheqjen ukrainase. /FolDrejt/