Mijëra civilë të rinj, nga studentë të mjekësisë veterinare deri te arkitektë, janë rekrutuar në rezervat e ushtrisë së Ukrainës dhe janë trajnuar për luftë, teksa frika rritet për një pushtim të mundshëm nga Rusia.
Të rinj dhe të reja, disa edhe të moshës 21 vjeç, kanë marrë pjesë në trajnimin e njësisë së Mbrojtjes Territoriale të Kievit, gjatë fundjavës së kaluar, në një pyll të mbuluar me borë, teksa u përgatitën për një konflikt të mundshëm me Moskën.
Shumë civilë anembanë vendit janë regjistruar në programe të ngjashme trajnimi për t’i mësuar aftësitë bazike luftarake.
Në rast të një pushtimi të mundshëm nga Rusia, këta të rinj do të jenë pjesë e rezistencës civile të vendit, e cila do t’i zhvillojë luftimet kundër ushtarëve rusë, nëse ushtria ukrainase lodhet.
Ky rajon ka qëndruar në “teh të thikës” që nga fundi i vitit të kaluar, kur Moska zhvendosi pranë kufirit të saj me Ukrainën deri në 100 mijë trupa, tanke e raketa, por tensionet janë rritur ditët e fundit, pas një rritjeje në pajisjet dhe lëvizjet e trupave, mes tyre policore ushtarake, nga lindja ekstreme e Rusisë.
Mes frikës se një pushtim është i afërt, Mbretëria e Bashkuar filloi t’i tërheqë sot diplomatët nga misioni i saj në Kiev – pas një lëvizjeje të ngjashme të SHBA-së në fundjavë.