Protesta erdhi dy javë pasi Gjykata e Lartë shfuqizoi Roe v Wade – vendimi që kishte garantuar aksesin e abortit në mbarë vendin për gati 50 vjet.
Duke brohoritur “ne nuk do të kthehemi”, protestuesit u mblodhën para portës së Shtëpisë së Bardhë.
Rreth 10,000 njerëz u mblodhën nga e gjithë SHBA-ja, thanë organizatorët.
Lauren Pierce, një avokate nga Dallasi, ishte në mesin e tyre, e cila ka udhëtuar rreth 2,100 kilometra për të marrë pjesë në demonstratë.
“Për mua nuk ka asgjë më të vlefshme për të luftuar se kjo kauzë, e drejta jonë themelore për të pasur autonomi trupore. Nëse kjo do të thotë të zësh hapësirë dhe të arrestohesh, atëherë mendoj se ia vlen”, tha Pierce.
Shteti i Pierce, Teksasi, është ndër dhjetë shtetet amerikane ku aborti tashmë është i ndaluar. Të paktën një mori shtetesh të tjera pritet të pasojnë.
Aktivistët kundër abortit, shumë prej të cilëve e shohin abortin si “vrasje”, kanë festuar vendimin e gjykatës.
Të premten, duke u përballur me presionin, Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv që e detyron departamentin e tij shëndetësor të mbrojë kujdesin e abortit, duke përfshirë aksesin në abortin me ilaçe dhe kontracepsionin e urgjencës, dhe masat mbrojtëse për privatësinë e pacientit.
Por pushteti i presidentit është i kufizuar. Ai nuk mund të detyrojë legjislacionin në Kongres dhe nuk mund të zhbëjë vendimin e Gjykatës së Lartë./BBCnews/