Një zyrtar ushtarak i ambasadës njoftoi se ata kanë pranuar më shumë se 3 mijë adresa elektronike nga persona që duan të shkojnë në Ukrainë.
Mijëra persona kanë aplikuar në Ambasadën e Ukrainës në Washington në një përpjekje për t’iu bashkuar luftës kundër Rusisë së bashku me ushtrinë ukrainase, shkruan AA.
Një zyrtar ushtarak i ambasadës për AA njoftoi se ata kanë pranuar më shumë se 3 mijë adresa elektronike nga persona që duan të shkojnë në Ukrainë.
“Ne iu përgjigjëm atyre dhe u kërkuam të plotësojnë një formular aplikimi. Pastaj, ne do të shqyrtojmë të gjitha aplikimet dhe do të kontrollojmë kush është i aftë për të shkuar. Tani jemi në proces”, tha zyrtari, i cili kërkoi të mos i përmendet emri, transmeton Fol Drejt.
Ai shtoi se më pak se gjysma e atyre që dërguan adresa elektronike kanë plotësuar formularin e aplikimit.
Aplikuesit përfshijnë ish-zyrtar ushtarakë dhe civilë që duan të ndihmojnë popullin ukrainas me çështje humanitare.
Zyrtari i ambasadës ukrainase po ashtu vlerësoi mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën, përfshirë atë të Turqisë të cilën ai e quajti “frymëzuese”.
“Ne morëm mbështetje materiale dhe morale. Mbështetja turke, në veçanti, ka një vlerë të madhe për ne. Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë”, tha ai.
Të mërkurën, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se 16 mijë trupa të huaja janë rrugës për në Ukrainë për t’iu bashkuar luftës kundër forcave ruse. Dje, sipas presidentit ukrainas, grupi i parë i luftëtarëve mbërriti në Ukrainë në mbrojtje të vendit kundër Rusisë.
Lufta e Rusisë në Ukrainë, që filloi më 24 shkurt, është ballafaquar me dënime ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara (OKB), 227 civilë janë vrarë dhe 525 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës. Megjithatë, autoritetet ukrainase thonë se numri civilëve të vrarë është mbi 2 mijë.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 1 milion njerëz janë larguar nga Ukraina drejt vendeve fqinje./FolDrejt/