Pas rritjes së dhunës me armë kohët e fundit, mijëra persona në kryeqytetin e SHBA-së, Washington, protestuan për rregullimin e reformës mbi kontrollin e armëve.
Mijëra persona morën pjesë në protestën e cila u zhvillua nga organizata e shoqërisë civile “Marshoni për jetët tona” (March for Our Lives) e formuar në Parkland të Floridas pas sulmit në një shkollë në vitin 2018 ku humbën jetën 17 persona, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Kryetarja e Bashkisë së Washingtonit, Muriel Bowser mbajti një fjalim në protestë ku bëri thirrje për përfundimin e ngjarjeve të dhunshme me armë dhe që Kongresi të ndërmarrë hapa për këtë.
Në protestë morën pjesë edhe familjet e viktimave të sulmit racist që u krye në një supermarket në qytetin Buffalo të New Yorkut më 14 maj.
Në SHBA diskutimet për “reformën e armëve” u ndezën pasi 10 persona u vranë në sulmin racist të kryer me 14 maj në një supermarket në qytetin Buffalo në SHBA dhe pas vrasjes së 19 nxënësve dhe 2 mësuesve në një shkollë në Uvalde të Teksasit më 24 maj.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden lidhur me këtë çështje i ka bërë thirrje Kongresit ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve brenda javës miratoi një projektligj që përfshin rregulloret e armëve.
Në anën tjetër në shumë qytete të SHBA-së janë mbajtur protesta të organizuara nga platforma “March for Our Lives”./FolDrejt/