Policia e Kosovës ka konfirmuar se Milan Radojiçiq është arratisur dje nga pika kufitare me Serbinë, në Bërnjak.
Policia ka bërë të ditur se derisa zyrtarët policor ishin duke verifikuar dokumentat e tij, ai është larguar me veturë në drejtim të Serbisë.
Rasti ka ndodhur rreth orës 15:40, transmeton Telegrafi.
“Një i dyshuar mashkull/Serb (në hyrje në Kosovë), gjersa zyrtarët policor ishin duke e verifikuar, i njëjti me veturë është larguar mbrapa në drejtim të Serbisë. Bazuar në verifikimin e kryer i dyshuari është i kërkuar në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga gjykata”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndryshe, Radojiçiq ishte shpallur në kërkim për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. I njëjti pas një kohe ishte fshirë nga lista e kërkimit me vendim të prokurorit që po e hetonte çështjen.
Pas një kohe Prokuroria Speciale sërish e ka vendosur në listën e personave të kërkuar. /Telegrafi/