Milani sonte arkëtoi tri pikë të plota dhe shumë të rëndësishme ndaj Dinamo Zagrebit në grupin E të Ligës së Kampionëve.
Kampioni i Italisë e mposhti skuadrën kroate me rezultat 3-1 në “San Siro”, duke u ngritur kështu në vendin e parë.
Goli i parë për “Rossonerët” u realizua në fund të pjesës së parë nga penalltia, të cilën e gjuajti Olivier Giroud.
Edhe pjsea e dytë foli në të mirë të Milanit që e dyfishoi rezultatin në minutën e 47’ me anë të golit të mesfushorit Saelemakers.
Mysafirët provuan të kthehen në lojë kur e ngushtuan epërsinë në minutën e 56’ me golin e Orsic, por shpresat e tyre i theu Pobega me një gol të bukur në minutën e 77′ që ishte edhe rezultati final i kësaj ndeshje.
Pas dy ndeshjeve, Milani e kryeson grupin E me gjashtë pikë, i ndjekur nga Dinamo me tri, derisa janë në pritje të sfidës tjetër ku ballafaqohen Chelsea dhe Salsburgu.
Ndeshja tjetër, ajo ndërmjet Shakhtar Donetsk-ut dhe Celtic-ut përfundoi me barazim 1-1.