Presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka thënë se vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi nuk do të tërhiqet, raporton Klix, përcjell Fol Drejt.
Milatoviq tha se nuk është realiste të pritet “çnjohja” e Kosovës.
“Ne mbështesim gjithçka për të cilën bien dakord Beogradi dhe Prishtina dhe besoj se normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës do të ishte i rëndësishëm për të gjitha vendet në rajon. Në këtë kuptim, Mali i Zi dëshiron të jetë një fqinj i mirë që do të promovojë marrëdhënie të mira fqinjësore.”, tha Milatoviq në një intervistë për Nova TV.
Presidenti i ri i Malit të Zi theksoi se dëshiron marrëdhënie sa më të mira me Serbinë dhe kur ishte ministër i zhvillimit ekonomik këtë e ka vënë gjithmonë në fokus.
“Serbia është vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor dhe është krejtësisht e natyrshme që vizita ime në Serbi do të jetë pas ftesës së Vuçiqit”, tha ai.
Megjithatë, ai ka deklaruar se vizita e tij e parë do të jetë në Bruksel sepse siç thotë ai, Mali i Zi me të vërtetë po shkon drejt BE-së. /FolDrejt/