Këshilli i Evropës ka bërë të ditur se miliona rusë nuk do të mbrohen më nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi Moska më 16 shtator do të ndërpresë së qeni palë në konventë.
Sipas sekretares së përgjithshme të Këshillit të Evropës me bazë në Strasburg, Marija Pejcinovic Buric, me largimin e saj nga konventa Rusia do të “izolohet më tej nga bota demokratike dhe do të privojë mbi 140 milionë qytetarë rusë nga mbrojtja e ofruar nga konventa”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ajo tha se këshilli do të vazhdojë të mbështesë “mbrojtësit e të drejtave të njeriut, forcat demokratike, mediat e lira dhe shoqërinë e pavarur civile” në Rusi, si dhe të “garantojë drejtësi dhe llogaridhënie për njerëzit e përfshirë”.
Këshilli 46-anëtarësh synon të promovojë demokracinë dhe të mbrojë të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në Evropë.
Këshilli e dëboi Rusinë më 16 mars, pas 26 vitesh anëtarësim, në vazhdën e luftës së Moskës kundër Kievit./FolDrejt/