Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të diskutojnë efektet e luftës së Ukrainës në sigurinë e ushqimit dhe energjisë në Bruksel më 23-24 qershor përpara samitit të liderëve të BE-së.
Sipas Këshillit të BE-së, Këshilli i Punëve të Jashtme do të informohet për çështjet aktuale dhe ministrat do të mund të shkëmbejnë mendime për ngjarjet e fundit dhe për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet e jashtme, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Këshilli do të diskutojë më pas zhvillimet e fundit në Bririn e Afrikës, si dhe marrëdhëniet e BE-së me Egjiptin.
“Së fundmi, Këshilli do të shkëmbejë pikëpamjet mbi luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, në dritën e takimit të posaçëm të Këshillit Evropian më 30-31 maj të vitit 2022 dhe miratimit të një pakoje të gjashtë të sanksioneve ekonomike dhe individuale kundër Rusisë. Gjatë një dreke joformale, ministrat e BE-së do të kenë mundësinë të zhvillojnë një diskutim me ministrin e Jashtëm të Egjiptit, Sameh Hassan Shoukry”, thuhet në deklaratë.
Një zyrtar i lartë i BE-së të dielën po ashtu theksoi se axhenda e takimit do të përfshijë luftën e Ukrainës për sa i përket implikimeve të saj globale, veçanërisht sigurinë ushqimore dhe energjetike.
BE-ja është duke vlerësuar opsione të ndryshme, duke përfshirë Bjellorusinë, për eksportin e miliona tonëve grurë, theksoi zyrtari, duke thënë se opsioni më ideal është Deti i Zi.
Ministrat do të diskutojnë paketën e gjashtë të sanksioneve, e cila u pranua në samitin e fundit dhe nuk janë në përgatitje për një pakoje të re, thuhet në deklaratë./FolDrejt/