Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s u mblodhën sot në Bruksel për të diskutuar çështje të tilla si mbështetja ushtarake që do t’i jepet Ukrainës, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore, mbrojtjen e infrastrukturave kritike pas sabotimeve të fundit dhe rimbushjen e rezervave duke rritur prodhimin e armëve.
Takimi i ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s do të vazhdojë dy ditë, sot dhe nesër në selinë e NATO-s në Bruksel. Në takim Türkiye do të përfaqësohet nga ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një deklaratë para takimit tha se sot do të mbahet takimi i Grupit të Kontaktit të Ukrainës dhe se në këtë takim do të marrë pjesë edhe ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov.
“Do të japim mesazhin se mbështetja e palëkundur e NATO-s për Ukrainën do të vazhdojë”, tha Stoltenberg duke shtuar se ministrat do të diskutojnë se si do të rritet mbështetja ushtarake për Ukrainën.
“Përparësia kryesore do të jetë dhënia e më shumë sistemeve të mbrojtjes ajrore Ukrainës”, tha Stoltenberg.
Duke theksuar se kanë mirëpritur dhënien e sistemeve të mbrojtjes ajrore për Ukrainën nga aleatë si Gjermania, Stoltenberg më tej tha:
“Sulmet e tmerrshme ruse pa dallim që shkaktojnë vdekjen e civilëve, që shkatërrojnë infrastrukturën civile dhe që kryhen ndaj infrastrukturave të energjisë teksa hyhet në stinën e dimrit, tregojnë nevojën urgjente për t‘i dhënë Ukrainës më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore. Aleatët kanë dhënë sisteme të mbrojtjes ajrore por duhet të jepen më shumë. Kemi nevojë për sisteme të mbrojtjes ajrore të tilla si me rreze të shkurtër, me rreze të gjatë, raketa balistike, raketa me udhëzim dhe mjete ajrore pa pilot”.
Ai tha se në takimin dy ditorë aleatët e NATO-s do të diskutojnë edhe rimbushjen e rezervave të pajisjeve dhe municioneve që janë pakësuar pas dërgimit të ndihmave ushtarake ndaj Ukrainës si dhe rritjen e prodhimit nga kompanitë e industrisë së mbrojtjes.
Stoltenberg njoftoi se ministrat do të bëjnë vlerësime lidhur me investimet që do të kryejnë për kërkesën afatgjatë dhe kapacitetin prodhues që kanë nevojë kompanitë e industrisë së mbrojtjes.
Në takimin dy ditorë do të diskutohet për mbrojtje më të mirë infrastrukturat kritike të vendeve të NATO-s, misionet e NATO-s në Irak dhe Kosovë si ndërsa do të mbahet edhe takimi i Grupit të Planifikimit Bërthamor të planifikuar më parë.
Në një pjesë të takimit do të marrin pjesë edhe ministrat e Mbrojtjes të Finlandës dhe Suedisë, vende të cilat aplikuan për anëtarësim në NATO./FolDrejt/