Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, bashkë me zëvendësministrin e kësaj ministrie, Hysen Durmishin, po qëndrojnë në Tetovë.
Gjatë këtij qëndrimi ata kanë takuar sot zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z. Artan Grubi dhe kryetarin e BDI-së, z. Ali Ahmeti.
“Patëm një bashkëbisedim të shkëlqyer, për rëndësinë e bashkëpunimit, rifuqizimin e lidhjeve historike e kulturore, dhe bashkëpunimin e ndërsjellë për projekte në dobi të të gjithë Shqiptarëve.
Mes tjerash, biseduam për projektin shumë të rëndësishëm infrastrukturor rrugor që do të lidhë Prizrenin me Tetovën, si dhe për hapat e mëtejm për finalizimin e marrëveshjes financiare. Bashkarisht, u zotuam që këtë projekt të përbashkët ta realizojmë sa më parë.
Jemi bashkë për rrugë që na bëjnë bashkë!”, ka njoftuar Aliu, përcjell Fol Drejt.