Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka takuar Martin Vickers, deputetin dhe të dërguarin e posaçëm të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, si dhe zëvendës ambasadorin Britanik në Kosovë, z. Jacob Webber, transmeton Fol Drejt.
Ai, me anë të një postimi në facebook, ka treguar së gjatë këtim takimi janë diskutuar një gamë e gjerë temash.
“Një takim e bashkëbisedim i shkëlqyer për një gamë të gjerë temash të cilat aktualisht janë në tryezën e punës, me ç’rast i njoftova se tanimë mjetet për studimin e fizibilitetit për projektin e linjës hekurudhore janë siguruar, dhe jemi në fazën që ka të bëjë me përcaktimin e financimit të hekurudhës Durrës-Prishtinë, që njëherit do të kontribuojë në një lidhje të shpejtë të pasagjerëve dhe mallrave. Në takim ritheksova se krijimi i linjës hekurudhore është zgjidhja më ekologjike e ndërlidhjes tonë me Shqipërinë.”, ka shkruar ministri Aliu.
“Diskutuam për intensifikimin e bashkëpunimit për menaxhimin e mbeturinave, krizën energjetike, politikat për ruajtjen e mjedisit, energjinë jo-ndotëse, zhvillimin ekonomik, si dhe rreth mundësive të reja për investime kapitale të Britanisë së Madhe, në Kosovë. Shprehëm mirënjohjen e pamatë për përkrahjen e Britanisë, për mundësitë që kemi para nesh për thellimin e bashkëpunimit, si dhe bindjen se mbesim shumë të përkushtuar për të zgjeruar marrëdhënien tonë të posaçme në çdo rrafsh të mundshëm”, ka shkruar ai tutje./FolDrejt/