Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se në kuadër të mbledhjes së 96-të të qeverisë, kanë marrë miratimin e kabinetit qeveritar për nismën e negocimit të Memorandumit të Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit për zbatimin e projekteve infrastrukturore të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.
Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se janë të përkushtuar për zhvillim ekonomik e fqinjësi sa më të mirë në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.
“Jemi plotësisht të përkushtuar për zhvillim ekonomik, në një fqinjësi sa më të mirë dhe afrimin mes dy vendeve. Nëpërmjet kësaj nisme shtohen rrugët komunikuese, me theks të veçantë për rrugën Rozhajë – Pejë si dhe rrugën Deçan – Plavë, për të cilat projekte, ndajmë bindjen që t’i shtyjmë përpara e t’i konkretizojmë në bashkëpunime dypalëshe”, ka shkruar Aliu në Facebook.