Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas ndalimit të shfaqjes së dy filmave shqiptarë në Serbia nga ky shtet.
Çeku ka kritikuar këtë akt duke e cilësuar si mosdurim nacional.
“I paprecedent dhe i papranueshëm rasti i mbrëmshëm në Komunën e Bujanocit, ku u ndalua shfaqja e dy filmave në Shtëpinë e Kulturës.
Një ditë para shfaqjes së filmave, policia e Serbisë i merr në bisedë informative drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, producentin dhe aktorët e filmave.
Pa asnjë motiv konkret, e madje duke e paragjykuar përmbajtjen e filmave, autoritetet serbe ndalojnë shfaqjen e filmave deri në një vendim të radhës.”, është shprehur Çeku.
“Ky akt më e pakta që mund të emërohet, është mosdurim nacional. E për fat të keq ka ende qarqe politike brenda, në rajon e jashtë që besojnë në ndryshimin e Serbisë.
Pikërisht politizimi nga ana e Serbisë edhe i artit, me të vetmin motiv që filmi është me aktorë shqiptarë dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është përgënjeshtrimi më i madh që Serbia ka ndryshuar, apo se mund të ndryshojë.
Ky projekt ishte njëri nga 78 projektet që Qeveria jonë i mbështeti financiarisht përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar. Projekte këto që bartnin aktivitete në ruajtjen dhe kultivimin, avancimin e artit, gjuhës, arsimit e identitetit kombëtar shqiptar në Luginën e Preshevës.”, ka shtuar Çeku më tej./FolDrejt/