Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se transformim zhvillimor i qytetit të vjetër të Janjevës është një investim ambicioz i Qeverisë së Kosovës, raporton Fol Drejt.
“Transformim zhvillimor i qytetit të vjetër të Janjevës, investim ambicioz i Qeverisë së Kosovës
Ditën sot e nisëm në qytetin e vjetër të Janjevës, një vend plot bukuri të cilit po i kthehet jeta dhe po merr vëmendjen e merituar nga shteti.”, shkroi Çeku në Facebook.
Çeku theksoi se ky projekt padyshim shkon përtej mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Po zgjerohet mozaiku i diversitetit kulturor në Janjevë. Kjo qendër historike do të shndërrohet në një destinacion tërheqës për vizitorë, duke zhvilluar turizmin dhe ekonominë lokale.
“Qeveria jonë po investon përmes tri ministrive në Janjevë. Ministria e Kulturës, në restaurimin dhe rifunksionalizimin e 14 shtëpive tradicionale, përmirësimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve njerëzore për turizëm dhe menaxhim, Ministria e Zhvillimit Rajonal në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në zonën e vjetër të Janjevës dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në shtrirjen e ujësjellësit në qytet.
Punimet nga afër sot i pamë bashkë me partnerët ndërkombëtarë në këtë program, BE-në dhe UNDP-në.”, shkroi tutje ministri Çeku. /FolDrejt/