Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Kaikkonen ka mbërritur sot në Bruksel, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e pranimit të këtij vendi në NATO, raporton Klix, përcjell Fol Drejt.
Krahas tij në ceremoni do të marrin pjesë edhe ministri i Jashtëm si dhe presidenti i vendit, ndërsa pak orë para nënshkrimit të dokumentit final Kaikkonen deklaroi se sot është një moment emocionues për të gjithë finlandezët.
“Ky është një moment i rëndësishëm për Finlandën, por edhe për të gjithë aleancën e NATO-s. Gjithashtu, shpresoj që Suedia së shpejti të marrë lejen për të hyrë në aleancë dhe ky është qëllimi ynë”, tha Kaikkonen.
Ndër të tjera, ministri i Mbrojtjes i Finlandës iu përgjigj pyetjes nëse Finlanda do të lejojë ardhjen e trupave nga vendet e tjera të NATO-s në këtë vend.
“Për sa i përket rolit tonë në NATO, ne ende duhet ta diskutojmë atë me aleatët. Ne kemi investuar në kapacitetet tona mbrojtëse për dekada dhe nuk do të ketë probleme në këtë drejtim,” tha Kaikkonen.
Më herët Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka theksuar se kjo është një ditë historike për aleatët. “Kjo është një ditë historike. Brenda pak orësh do të mirëpresim Finlandën si një anëtare e re. Kjo do ta bëjë Finlandën më të sigurt dhe NATO-n më të fortë. NATO u themelua në këtë ditë dhe është e vështirë të imagjinohet një ditë më e mirë për të festuar ditëlindjen e saj se ky moment”, tha Stoltenberg. /FolDrejt/