Ministri gjerman për Evropë, Michael Roth për debatet e kohëve të fundit rreth ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor ka thënë se askush në Evropë nuk mund të jetë pro fantazive për ndryshimin e kufijve.
Roth në një intervistë për Deutsche Welle-ka thënë se ndryshimi i kufijve nuk zgjidh asnjë problem në Ballkanin Perëndimor, përkundrazi, do të ishte shumë i rrezikshëm dhe do të kërcënonte rihapjen e Kutisë së Pandorës.
“Ndryshimi i kufijve nuk zgjidh asnjë problem në Ballkanin Perëndimor. Përkundrazi, do të ishte shumë i rrezikshëm dhe do të kërcënonte rihapjen e Kutisë së Pandorës, e cila është plot konflikte. Kjo nuk kërkon ndonjë profeci.
E tashmja dhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është tek pajtimi, tek bashkëpunimi i ngushtë rajonal, tek distancimi përfundimtar nga nacionalizmi dhe revanshizmi. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë dhe mbeten vende të shoqërive shumëfetare dhe shumëetnike.
Ky është parakushti për paqe, prosperitet dhe demokraci. Prandaj jam i qetësuar që qeveria sllovene është distancuar qartazi nga fantazitë për ndryshimin e kufijve. Sepse askush në Evropë nuk mund të ketë interes për këtë”.