Presidentja estoneze, Kersti Kaljulaid e kritikoi ashpër Ministrin e Brendshëm, Mart Helme, për komentet e tij homofobe gjatë një interviste për Deutsche Welle. Helme, është themelues dhe udhëheqës i Partisë Popullore Konservatore (EKRE), një parti populiste e ekstremit të djathtë, që bën pjesë në koalicionin qeverisës tripartish në Estoni.
Helme tha në një intervistë për programin rus të DW se ai është vërtetë “jo dashamirës e jo miqësor” kundrejt homoseksualëve dhe se ata duhet të shkojnë më mirë në Suedi. Komentet e politikanit të ekstremit të djathtë ishin përgjigje ndaj pyetjeve të gazetarit të DW mbi planet për një referendum për t’i përjashtuar homoseksualët nga e drejta e martesës.
Homofobë dhe heterofobë
Helme tha në intervistë se referendumi “është i rëndësishëm për të gjithë njerëzit, sepse pa martesë, pa gra dhe burra që kanë fëmijë, nuk ka të ardhme (…) Ne duam që shteti të ruhet, dhe nuk mund të ruhet pa fëmijë dhe pa moral”. Duke shtuar që homoseksualët duhet “të vrapojnë për në Suedi, sepse atje i trajtojnë të gjithë më me edukatë.”
Helme tha se qëndrimi i tij “jo dashamirës e jo miqësor” ndaj LGBT+ nuk është homofobi. “Unë do të thoja që ata njerëz që e quajnë referendumin tonë të panevojshëm janë heterofobë. Ata po hyjnë në dhomat e gjumit të heteroseksualëve. Ata e bëjnë atë, jo ne. Nëse ata mund të bëjnë propagandën e tyre homoseksuale, edhe ne mund të bëjmë propagandë tjetër,” – tha Helme.
“Njerëzit tanë”
Presidentja estoneze Kersti Kaljulaid, konservatore liberale, zyrtarisht pa përkatësi partiake, i dënoi komentet e Helmes. Kaljulaid tha se Helme nuk ishte “i përshtatshëm” për të qenë anëtar i kabinetit qeveritar.
“Një ministër me pikëpamje të tilla nuk është i përshtatshëm për qeverinë e Republikës së Estonisë,” tha Kaljulaid, duke shtuar se ajo ia kishte shprehur këtë qëndrim edhe Kryeministrit Juri Ratas. “Unë nuk e kuptoj armiqësinë e hapur të Marth Helme kundër shoqërisë sonë. Fjala është për njerëzit tanë – policët dhe mësuesit tanë, njerëzit tanë krijues dhe ndërtuesit, fqinjët, kolegët dhe miqtë tanë,” tha ajo.
Edhe kryeministri Ratas, i Partisë Centriste Estoneze, i dënoi në një postim në Facebook komentet e Ministrit të Brendshëm. Në një intervistë me televizionin publik estonez ERR, Ratas tha se koalicioni do të mblidhet në fillim të javës tjetër për të diskutuar çështjen. Opozita e Estonisë ka kërkuar që Helme të japë dorëheqjen.