Ministri i Brendshëm i Rusisë, Vladimir Kolokoltsev mbërriti në Rijad, kryeqytetin e Arabisë Saudite, disa ditë pas fjalimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Samitin e Ligës Arabe.
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare të Arabisë Saudite SPA, Kolokoltsev u takua me homologun e tij saudit, Abdulaziz Bin Saud Al Saud në kuadër të vizitës së tij në Rijad, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Gjatë takimit u diskutuan mënyrat e përmirësimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë ndërmjet ministrive të jashtme të dy vendeve dhe një sërë çështjesh me rëndësi të përbashkët.
Detajet e takimit nuk janë bërë të ditura në lajm. Ministri i Brendshëm rus vizitoi Arabinë Saudite disa ditë pas presidentit të Ukrainës, Zelenskyy.
Pjesëmarrja e presidentit ukrainas në Samitin e Ligës Arabe
Presidenti i Ukrainës, Zelenskyy mori pjesë në Samitin e 32-të të Ligës Arabe të mbajtur në Xheda të Arabisë Saudite më 19 maj, së bashku me liderët e shteteve anëtare.
Kjo ishte vizita e parë e Zelenskyy-t në Arabinë Saudite dhe një vendi arab pas shpërthimit të luftës Rusi-Ukrainë vitin e kaluar.
Arabia Saudite vepron si ndërmjetëse midis Rusisë dhe Ukrainës, veçanërisht në shkëmbimin e të burgosurve dhe se ka marrëdhënie me Moskën, të cilat cilësohen si “strategjike”./FolDrejt/