Udhëheqësia e lartë ruse duhet të përballet me një gjykatë për krimet e tyre dhe Republika Çeke mbështet idenë e krijimit të një gjykate të tillë. Këtë e tha në Twitter ministri i Jashtëm çek Jan Lipavsky, transmeton Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
“Republika Çeke është ndër vendet që duan të krijohet një gjykatë penale e posaçme për të gjykuar udhëheqjen më të lartë politike ruse për krimet në Ukrainë. Çdo udhëheqje politike e një vendi duhet të mbajë përgjegjësi kur fillon një luftë,” shkroi Lipavsky.
Ai tha se ishte i kënaqur që Komiteti i Punëve të Jashtme i Dhomës së Deputetëve, dhoma e ulët e parlamentit të Republikës Çeke, e kishte njohur regjimin aktual rus si terrorist. “Veprimet ruse janë akte terrori… Rusia dëshiron të shkaktojë frikë,” tha politikani, duke shtuar se gjërat duhet t’i quani me emrat e tyre.
Ai gjithashtu kritikoi në mënyrë indirekte ata që i bëjnë thirrje Kievit të fillojë bisedimet e paqes me vendin terrorist. Ai tha se tani nuk është koha për të folur për paqen, sepse Rusia kupton vetëm forcën. “Nevojitet një qëndrim i ashpër. Nëse duam siguri, duhet të zbatohen rregullat, të cilat ne duhet t’i zbatojmë në nivel ndërkombëtar,” shkroi Lipavsky. /FolDrejt/