Sot, ministri i Kulturës së Maqedonisë së Veriut, takoi zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal të Republikës së Kosovës, z. Agon Dobruna.
Këtë e bëri të ditur vetë ministri i Kulturës së Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili përmes profilit të tij në rrjetin social Facebook.
“Sot kisha kënaqësi në zyrën time ta pres zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal të Republikës së Kosovës, z. Agon Dobruna, i cili me këshilltarët e tij qëndroi për vizitë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Me z. Dobruna biseduam për projektet e përbashkëta rajonale, duke u ndalur veçmas në mundësitë e bashkëpunimit ndërkufitar mes dy vendeve tona.
Me interes në këtë bashkëbisedim ishte veçanërisht bashkëpunimi ekonomik dhe kulturor ndërmjet dy vendeve tona, ndërsa nuk mundëm pa e shqyrtuar edhe projektin gjigant të rrugës Prizren-Tetovë.
Përmes këtij diskutimi, arritëm në konkludimin se të dyja palët duhet të angazhohemi, me kompetencat tona, në avancimin e këtyre projekteve.
Kosova nuk është vetëm fqinj i yni, por edhe një shtet miqësor me synime të përbashkëta eurointegruese.”, shkroi ministri Ismaili./FolDrejt/