Koreografia e organizuar nga tifozët e futbollit të ekipit Yllit të kuq (Cervena Zvezda), në ndeshjen e fundit kundër ekipit italian Fiorentina, në Beograd, ka nxitur reagime në Prishtinë, shkruan Fol Drejt.
Ministri i Kulturës Hajrullah Çeku ka reaguar duke thënë se Serbia po mobilizon tifozeri për mesazhe lufte.
Në një reagim të tij në llogarinë zyrtare në Facebook ai ka thënë se “Serbia edhe një herë tregoi që nuk e kursen as sportin si platformë për promovimin e politikës së saj luftënxitëse.”
Ky është reagimi i plotë:
Serbia mobilizon tifozëri për mesazhe lufte!
Koreografia e organizuar në ndeshjen miqësore të futbollit të zhvilluar dje ndërmjet “Yllit të kuq” dhe Fiorentinës në Beograd, tregon qartazi për mendësinë e pandryshuar të Serbisë.
Grupi i tifozerisë “Delije” mbrëmë ka shfaqur një koreografi ku shihet një tank i madh me sfondin e flamurit serb dhe me shkrimin nën të “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.
Serbia edhe një herë tregoi që nuk e kursen as sportin si platformë për promovimin e politikës së saj luftënxitëse.
Kërcënimet me luftë nga stadiumi i futbollit duhet të kundërshtohen nga organizatat ndërkombëtare të futbollit, të cilat i ftojmë për marrjen e masave të duhura ndëshkuese. Këto veprimeve të Serbisë janë të papranueshme, andaj komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të qëndrojë në heshtje./FolDrejt/