Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov tha në një intervistë për gazetën popullore gjermane Bild se ai është “i bindur” se vendet perëndimore do të dërgojnë avionë luftarakë në Ukrainë, pavarësisht kundërshtimit të disa aleatëve.
Në një intervistë për Bild, ministri ukrainas deklaroi se është “i bindur” se Ukraina “do të marrë dy deri në tre lloje të ndryshme avionësh luftarakë”. Zgjedhja e avionëve që do të marrë Ukraina, thotë Reznikov, varet nga “inxhinierët në dispozicion, fushat ajrore, mirëmbajtja dhe pjesët rezervë”, përcjell Fol Drejt.
“Unë besoj në krijimin e një koalicioni të aviacionit”
Reznikov deklaron se beson se aleatët perëndimorë do të krijojnë të ashtuquajturat një “koalicion avionësh”, ashtu siç ndodhi së fundmi me marrëveshjen për dërgimin e tankeve të fuqishme gjermane të tipit Leopard 2 në Ukrainë.
Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës tha, duke bërë një paralele me marrëveshjen për dërgimin e tankeve që Gjermania fillimisht kundërshtoi, se ai beson se vendet perëndimore fillimisht nuk do të pranojnë të dërgojnë avionë luftarakë, por me kalimin e kohës do të ndryshojnë mendje.
Sipas Bild, aleatët perëndimorë i kanë sinjalizuar Kievit se janë gati të fillojnë trajnimin e pilotëve ukrainas dhe të kuptojnë se dërgimi i avionëve luftarakë është hapi tjetër në forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës./FolDrejt/