Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës Oleksii Reznikov tha të dielën se forcat ukrainase do të rifillojnë “veprimet aktive kundërsulmuese” kur toka të ngrijë dhe “të bëhet më e fortë për kalimin më të lehtë të pajisjeve”, në një konferencë për shtyp me homologun e tij suedez, ministrin e Mbrojtjes Pal Jonson, në Odesa, shkruan CNN, transmeton Fol Drejt.
“Kushtet e motit, kalimi nga një vjeshtë e thatë në një dimër jo ende të ftohtë… hasëm shi dhe kushte shumë të vështira për sulme nga të dyja anët. Për shkak se toka është e lagësht dhe automjetet me rrota vështirë se mund të kalojnë”. Reznikov tha: “Unë mendoj se kjo rënie në aktivitet është për shkak të kushteve të motit.”
Reznikov u zotua gjithashtu se “Forcat e Armatosura të Ukrainës nuk kanë ndërmend të ndalen”.
“Prandaj, ne po përfitojmë nga momenti kur toka bëhet më e fortë,” vazhdoi ai. Jam i bindur se do të vazhdojmë kundërsulmet tona, fushatën për çlirimin e territoreve tona”.
Ministri i Mbrojtjes e quajti planin e Ukrainës “shumë të thjeshtë”. “Është çlirimi i të gjitha territoreve të okupuara përkohësisht të Ukrainës siç ishin në vitin 1991, kur kufijtë e Ukrainës u njohën ndërkombëtarisht”, tha ai.
Reznikov tha se beson se rusët “po luftojnë civilët në mënyrë që të bindin qeverinë ukrainase që të fillojë negociatat sipas kushteve të Rusisë, por ata nuk do të kenë sukses në këtë”./FolDrejt/