Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Libur Aliu, ka treguar se pse nuk ka ndodhur nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të kësaj ministrie dhe Universitetit të Prishtinës.
Ai tha se kishin planifikuar sot të nënshkruanin këtë marrëveshje por ajo tash është shtyrë për nesër.
“Për të qenë të saktë dhe transparentë, sot ka qenë e planifikuar që të nënshkruhet marrëveshja me Universitetin e Prishtinës. Përkundër vullnetit tonë, në pamundësi për të realizuar këtë sot, nënshkrimi i bashkëpunimit me UP është shtyrë për ditën e nesërme”, ka shkruar Aliu në facebook.
Sipas Aliut, bashkëpunimi me universitetet, profesorët dhe studentët, do të sjellë ide dhe energji të reja, por mbi të gjitha angazhim të profesionistëve në sektorët që koordinon ministria që ai e udhëheq.
“Në asnjë mënyrë, qasja jonë nuk është selektuese e as diskriminuese apo favorizuese, por në përputhje me të mirën publike dhe me strategjinë e Ministrisë, në interes të projekteve zhvillimore të cilat i kemi në plan t’i realizojmë. Jemi të përkushtuar që me transparencë të plotë, të bashkëpunojmë me të gjitha universitetet dhe akademinë pa përjashtim, në mënyrë që të instalohen praktikat më të mira në këtë kontekst”, shtoi ai.
Kujtojmë se sot Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nënshkroi marrëveshje me kolegjin UBT.