Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se nuk i kanë lehtësuar masat kundër COVID-19 për shkak të ‘presionit’ nga gastronomia apo shtetet fqinje, të cilat kanë kritikuar vendimin për lejimin e hyrjes në territorin e Kosovës vetëm të qytetarëve me tri vaksina.
Ai, në një konferencë për media, tha se masat i kanë lehtësuar për shkak të situatës më të mirë epidemiologjike, por shtoi se mund të ketë masa më të ashpra nëse ka përkeqësim.
“Ndonëse jemi më mirë sesa vendet e tjera, megjithatë jam më i interesuar që të krahasohemi me vetveten. Sa i përket lirimit të masave për shkak të presionit, absolutisht jo. Kjo qeveri nuk merr vendime në bazë të presioneve, por merr vendime për më të mirën e qytetarëve. Vendimi për zbutjen e masave, si çdo veprim tjetër që kemi ndërmarrë për COVID-19, është propozuar dhe miratuar në bazë të rekomandimeve të profesionistëve shëndetësorë bazuar në të dhënat shkencore. Unë jam shumë i kënaqur se kemi pasur mundësinë të lehtësojmë masat, por nëse situata ndryshon, ne duhet të marrim masat adekuate”.