Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka reaguar pas përkeqësimit të situatës në komunat veriore, transmeton Fol Drejt.
Në reagim thuhet se “komuna është e qytetarëve. Qytetarët nuk mund të mbeten pa komunë”, duke premtuar mbështetje të plotë për kryetarët e sapozgjedhur.
“Pas mbajtjes së zgjedhjeve të datës 23 prill, janë mbajtur seancat konstituive në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Dje u betuan edhe kryetarët e komunës së Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Për ta sot është dita e parë e punës. Punë dhe shërbim të cilin duhet ta kryejnë nga zyret e Komunave bashkë me shërbyesit civilë.
Ata janë zotuar që do t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim. Si ministri dhe institucione qendrore japim mbështetjen tonë të plotë në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore të kryetarëve të rinj. E si institucione qendrore e kemi obligim që t’ua sigurojmë dhe mundësojmë përmbushjen e këtyre obligimeve.
Komuna është e qytetarëve. Qytetarët nuk mund të mbeten pa komunë” – ka shkruar Krasniqi.
Ua kujtojmë se sot në Zveçan e Zubin Potok, u mblodhën një numër qytetarësh të cilët provuan t’i pengonin kryetarët e rinj në fillimin e punës së tyre. Në këto tensione Policia e Kosovës u detyrua të përdorte edhe gaz lotësjellës./FolDrejt/