Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, gjatë qëndrimit të tij zyrtar në Izrael, ka vazhduar me realizimin e takimeve.
Ministri Krasniqi, fillimisht është pritur në takim nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Idan Roll, me të cilën është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në mes të dy shteteve duke u fokusuar në mundësitë e bashkëpunimit në mes të komunave të Kosovës dhe atyre të Izraelit, shkëmbimin e përvojave në fushën e zhvillimit ekonomik lokal dhe ofrimit të shërbimeve sa më efikase për qytetarët.
Krasniqi, duke falënderuar zëvendësministrin Roll për pritjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Izraelit për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës, ka shprehur vullnetin e plotë për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
Në anën tjetër, zëvendësministri Roll, i ka uruar mirëseardhje Krasniqi në Izrael dhe e ka njoftuar për zhvillimet në vend duke u fokusuar te programet dhe prioritet qeveritare në nivelin lokal.
Gjithashtu, Krasniqi është pritur në takim nga zëvendësdrejtorja e përgjithshme e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, Simona Halperin, me të cilën kanë biseduar për prioritetet e dy qeverive në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm lokal, iniciativat e dy ministrive dhe programet konkrete për bashkëpunim në mes të dy vendeve.
Në fund, Ministri Krasniqi është pritur në takim edhe nga zëvendësdrejtorja e përgjithshëm e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, njëherësh udhëheqësja e Agjencionit të Bashkëpunimit për Zhvillim Ndërkombëtar, Einat Shlain, me të cilën ka diskutuar temat, të cilat kanë për qëllim zhvillimin ekonomik lokal, agjendën e gjelbër dhe digjitalizimin në nivel lokal.