Gjatë vizitës zyrtare në Izrael, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, është pritur në takim nga kryetari i Federatës së Autoriteteve Lokale të Izraelit, njëherësh kryetar i Komunës së Modi-Maccabim-Reut, Haim Bibas.
Gjatë këtij takimi, ministri Krasniqi dhe kryetari Bibas kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në mes të komunave të Kosovës dhe atyre të Izraelit, përfshirë fushën e zhvillimit ekonomik lokal, shkëmbimit ndërkulturor, turizmit dhe inovacionit.
Ministri Krasniqi po ashtu ka vizituar Institutin për Teknologji ‘Holon’ dhe Qendrën e Inovacionit Komunal të Izraelit.
Gjatë këtyre dy vizitave, Krasniqi ka theksuar gatishmërinë për fillimin e shkëmbimit të përvojave në mes të dy vendeve në shërbim të digjitalizimit të nivelit lokal, duke theksuar se MAPL-ja, përmes platformës E-Komunat, është në fazën e parë të zbatimit të digjitalizimit të shërbimeve, procedurave dhe aktiviteteve që ofrojnë komunat.
“MAPL-ja është në përgatitje të strategjisë kombëtare për Smart Cities, duke bashkëpunuar ngushtë me partnerë ndërkombëtarë, siç janë edhe institutet nga shteti i Izraelit”, thuhet në komunikatën e ministrisë, transmeton Klankosova.tv.