Ministri kroat i Ekonomisë, Davor Filipoviq, ka komentuar zhvillimin e bashkëpunimit Kosovë-Kroaci, duke vlerësuar se ky bashkëpunim është intenfisikuar.
Filipoviq, ndër tjerash komentoi edhe gjendjen në të cilën po kalon populli ukrainas, duke thënë se Kroacia dhe Kosova i kuptojnë më së miri ndjenjat e tyre, meqë kanë kaluar nëpër të njëjtin shkatërrim të luftës.
“Kroacia dhe Kosova kanë dënuar agresionin në Ukrainë dhe sikurse Ukraina, edhe Kosova edhe Kroacia kanë kaluar nëpër këto shkatërrime të luftës dhe ne e kuptojmë më së miri ndjenjat e tyre, por ne duhet të përpiqemi që t’i ndihmojmë popullit të Ukrainës për ta arritur lirinë”, ka thënë Filipoviq në lidhje me gjendjen në Ukrainë dhe ndihmën që duhet të japin Kosova dhe Kroacia.
“Kemi intensifikuar bashkëpunimin me Kosovën dhe shohim mundësi të ndryshme në sektorin e energjisë, ndërtimin e rrugëve, ndërtimtari, pajisje ushtarake dhe pajisjet e inteligjencës”, ka thënë tutje, duke u shprehur i kënaqur që gjatë 10 muajve të parë të vitit 2022, eksportet kanë arritur në 105 milionë, ndërkaq importet nga Kosova në 10 milionë./FolDrejt/