Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, është takuar sot në Athinë me homologun e tij grek Athanasios Plevris.
Në njoftimin e lëshuar për media nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se kjo është vizita e parë e një ministri të Shëndetësisë së Kosovës, që takon zyrtarisht ministrin e Shëndetësisë së Greqisë.
“Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan që së shpejti të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në sistemin e shëndetësisë ndërmjet dy vendeve. Latifi në këtë takim shpalosi fushat e bashkëpunimit të ardhshëm me fokus në shtatë objektivat e planit të tij për shëndetësinë siç janë: funksionalizimi i 15 qendrave të ekselencës, trajnimi i profesionistëve shëndetësorë, programet e bursave si dhe shkëmbimi i ekspertizës”.
“Po ashtu, në këtë takim, Ministri Latifi ka theksuar rëndësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Greqia dhe katër shtetet e tjera anëtare të BE-së. Ndërkaq, Plevris shprehu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar dhe mbështetur sistemin shëndetësor të Kosovës përmes mbështetjes dhe shkëmbimit reciprok të përvojave në shëndetësi”, thuhet në njoftim, transmeton KlanKosova.tv.