Ministri i Mbrojtjes në Republikën e Kosovës, Armend Mehaj ka deklaruar se vetëm këtë vit janë trajnuar 2547 ushtarakë të FSK-së, shkruan Fol Drejt.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ministri tha se një ndër synimet më të rëndësishme të ministrisë së mbrojtjes është avancimi profesional i pjesëtarëve të Ushtrisë së Republikës së Kosovës, andaj përgjatë këtyre 19 muajve është investuar maksimalisht në financimin e trajnimeve të ushtarakëve përkrah ushtrive të shteteve më të fuqishme aleate.
“Përmes bashkëpunimit me partnerët tanë strategjik në fushën e trajnimeve, po ngrisim në vazhdimësi kapacitetet profesionale dhe operacionale në funksion të misionit tonë kushtetues, gjithmonë në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë së shtetit të Republikës së Kosovës, e përtej kësaj ky bashkëpunim në avancimin profesional të ushtarakëve kontribuon në përmbushjen e vizionit për anëtarësim në NATO”, shtoi ministri Mehaj. /FolDrejt/