Gjatë qëndrimit të tij në Holandë ministri i Mbrojtjes në Republikën e Kosovës, Armend Mehaj ka takuar të paraburgosurit e Gjykatës Speciale të cilët janë duke u gjykuar në Hagë, shkruan Fol Drejt.
Mehaj këtë e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook ku tha se është me takuar Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën, ndërsa shtoi se ka biseduar shkurt edhe me Hysni Gucatin i cili është duke u përballur me probleme shëndetësore.
Ai tha se në takimet që ka realizuar me secilin, i ka njoftuar me zhvillimet në vend, në fokus zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes përkatësisht Ushtrinë e Republikës së Kosovës, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, bashkëpunimin me partnerët, rekrutimet, synimin për antarësim në PfP dhe NATO të cilat janë në funksion të plotë të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së gjithë territorit të Republikës.
Ministri tha se i gjeti të gjithë me moral të lartë e të fortë ashtu siç ka qenë ushtria e popullit tonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Tutje, Mehaj theksoi se beson pa asnjë hamendësim në pafajsinë e të gjithëve dhe në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare.
“Gjithashtu, ndajmë bindjen e thellë që gjykimi i tyre është i padrejtë. Ne do te jemi gjithnjë krenar me luftën e UÇK-së, ka qenë UÇK-ja ajo që na ka bërë bashkë për të fituar lirinë tonë, në këtë pikë do të mbetemi përherë bashkë dhe kjo do të mbetet e pandryshuar përgjithmonë. Uroj që të gjithë të lirohen sa më shpejt”, shtoi ai. /FolDrejt/