Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka përkujtuar demonstratat e studentëve me rastin e 42-vjetorit, transmeton Fol Drejt.
Mehaj këto demonstrata i ka cilësuar si pranverë e madhe kombëtare që shënoi kthesën vendimtare me kërkesën Kosova Republikë.
“Sot 42 vjet më parë, në Prishtinë filloi Pranvera e madhe kombëtare me demonstratat e studentëve, që shënuan kthesën vendimtare me kërkesën Kosova Republikë.
Ishin studentët, punëtorët dhe gjithë populli liridashës të prirë nga vizioni dhe ideali për vetëvendosje i simbolit të bashkimit dhe qëndresës kombëtare, Bacë Adem Demaçit, që filluan rezistencën e cila kulmoi me luftën e armatosur të UÇK-së, udhëhequr nga Kryekomandanti Legjendar Adem Jashari.
Gjithashtu, këto demonstrata shënuan fillimin e fundit të Jugosllavisë Komuniste dhe shkëndijat e para të demokracisë në sferën e vendeve të bllokut komunist në Evropë.”, ka shkruar Mehaj në një postim në facebook.
“Mbi këto ideale, Ushtria e Kosovës, zhvillohemi dhe forcohemi çdo ditë për të mbrojtur vlerat e sakrificës, mundit, djersës e gjakut të gjithë brezave.
Lavdi dhe mirënjohje e përjetshme për heronjët e rënë e të mbijetuar të Pranverës historike të vitit 1981.”, ka shtuar tutje Mehaj./FolDrejt/