Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se ka marrë pjesë në takimin e nëntë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, në mesin e 54 shteteve, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Sekretarit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, Kryetarit të Shefave të Shtabit të Përbashkët, Gjeneralit Mark Milley.
Në këtë takim, siç njofton Mehaj, u theksua edhe një herë rëndësia që secili prej shteteve të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme për Ukrainën dhe popullin ukrainas të cilët po përballen me agresionin rus, një lufte të padrejtë që duhet dhënë fund.
“Mes të tjerash Stoltenberg gjatë fjalimit të tij tha se nuk kemi kohë për të humbur, dhe se përmes shpejtësisë së veprimeve tona do të shpëtojmë jetë. Jam plotësisht dakord me këtë, andaj edhe gjatë takimeve që bashkë Gjenerallejtënant Jasharin kisha me Stolterberg, Ministrin e Mbrojtjes të Kroacisë, Ministren e Mbrojtjes së Letonisë, Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në NATO , Visho Ajazi Lika edhe një herë shpreha gatishmërinë tonë si Qeveri e si Ministri e Mbrojtjes që në çdo kohë të strehojmë 5000 refugjatë ukrainas, e po ashtu të ofrojmë mbështetjen përmes trajnimit të ushtarakëve ukrainas në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme”, ka shkruar Mehaj në postimin e tij në facebook.
“Si një shtet që jemi përballur me një agresor të tillë me mentalitet okupues e gjenocidal, e kuptojmë shumë mirë luftën e popullit ukrainas për liri, e gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm që ka faktori ndërkombëtar në këtë mes, ndihma që mund të shpëtoj jetë e t’i jep fund terrorit.
Jemi me popullin ukrainas dhe do ofrojmë çdo ndihmë që është brenda kapaciteteve tona.”, ka shtuar tutje./FolDrejt/