Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në NATO, Astrit Zemaj, u.d. i shefit të Stafit të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së, kolonel Ejup Maqedonci dhe shefi i Kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes, Hasan Hoxha, realizoi takime të rëndësishme në selinë e NATO-s në Bruksel.
Aktivitetet në selinë e NATO-s filluan me takimin me zv.Ndihmës Sekretare e Përgjithshme për Operacionet të NATO-s, Burcu San, ku u diskutua për tema të shumta që ndërlidhen me sigurinë, sfidat, arritjet dhe mundësitë e bashkëpunimit të Kosovës me NATO-n, përcjell Fol Drejt.
Takimi i dytë u realizua me ambasadorët e vendeve të Quint-it në NATO, ndërsa takimi qendror u realizua në sallën e konferencave të NATO-s, ku fillimisht, Ministri Mehaj prezantoi dhe informoi ambasadorët e vendeve të NATO-s, për situatën e sigurisë në botë dhe impaktin në Ballkanin Perëndimor, pastaj për objektivat e tij për zhvillimin e Forcës, bashkëpunimin ndërkombëtar bilateral dhe multilateral, bashkëpunimin me NALT dhe KFOR, si dhe rrugën përpara në aspektin e bashkëpunimit me NATO-n.
Më pas, ambasadorë nga vende të ndryshme në adresimet e tyre vlerësuan shumë lart procesin e zhvillimit të FSK-së, angazhimin e saj në operacione ndërkombëtare, përkushtimin e Ministrisë së Mbrojtjes për bashkëpunimin rreth menaxhimit të situatës me refugjatët afganë, si dhe dedikimin e Kosovës për përpjekjen e përbashkët të aleatëve dhe partnerëve pas agresionit rus në Ukrainë.
Në fund, Ministri Mehaj dhe delegacioni nga Kosova, zhvilloi një takim të frytshëm me zv. Kryesuesin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjenerallejtënant Lance Landrum, me të cilin ndanë vizionin për zhvillimin e FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s, angazhimin e përbashkët për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si dhe rritjen e bashkëpunimit me NALT dhe KFOR.
Në mes tjerash, me Gjeneral Landrum u diskutua për rëndësinë që ka pjesëmarrja e FSK-së në stërvitjen “Defender Europe ‘23” si dhe statusit të Republikës së Kosovës, ndër vendet pritëse të kësaj stërvitjeje.
Nikoqir i delegacionit të Kosovës në selinë e NATO-s ishte ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në NATO, David Quarrey, i cili vlerësoi shumë lartë progresin e FSK-së në të gjitha fushat. Ambasadori Quarrey dhe stafi i tij shoqëruan dhe mbështeten delegacionin e Kosovës në të gjitha aktivitetet e zhvilluara në selinë e NATO-s.
Në të gjitha takimet, nga të gjithë pjesëmarrësit, u theksua nevoja e shpeshtimit të takimeve të tilla me qëllim të mbështetjes së Kosovës në rrugën e integrimit në strukturat euro-atlantike./FolDrejt/