Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka qëndruar sot në fshatin Korroticë e ulët të komunës së Drenasit, për t’u bërë vizitë familjeve të dëshmorëve Bejtë dhe Hajzer Rexhepi.
Për vizitën ka njoftuar vetë ministri Mehaj, përmes një postimi në Facebook, transmeton Fol Drejt.
“Largimi i pushtuesit serb nga vendi ynë, kërkonte guxim, organizim dhe sakrificë. Çdo ditë që kalonte regjimi bëhej më i dhunshëm, më kriminal e më i padurueshëm. Në anën tjetër durimit të popullit tonë i kishte ardhur fundi. Ngjarjet tronditëse të masakrës së Likoshanit na tregonin qartë që shovinistët serbë kishin filluar zbatimin e planit për shfarosje të popullit tone”, ka shkruar Mehaj në postimin e tij.
“Pas këtyre ngjarjeve Hajzeri veshi unformën e UÇK-së pas aktiviteteve të shumëta atdhetare ndërsa, Bejta kthehet nga Gjermania për të kryer stervitjet në Shqipëri e më pas vendoset në frontin e luftës.
Të vendosur e të guximshëm, mbrojten vendin tonë, jetën e tyre ia falën atdheut dhe lirisë, që gjeneratat e reja të këtij populli të jetonin pa frikë në truallin e tyre që me shekuj ishte larë me gjak”, ka shtuar tutje duke vlerësuar se liria e Kosovës është falë UÇK-së dhe dëshmorëve të vendit./FolDrejt/