Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, bashkë me Komandant Bashkim Jasharin, vizitoi sot Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës për t’i uruar detyrën e re gjeneral Ilir Qeriqit, si Shef i Stafit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Naim Hazirit si Komandant i Gardës Kombëtare dhe kolonel Avdi Raçit si komandant i Komandës së Logjistikës.
“Në takim diskutuam rreth pritshmërive që kemi në përmbushjen e objektivave në koordinim të vazhdueshëm Ministri e Mbrojtjes dhe FSK, rrjedhën e përgatitjet për ekzekutimin e ushtrimit fushor ndërkombëtar Defender ’23, disiplinën që duhet shoqëroj secilën fazë të përgatitjet rreth Defender, por dhe përditshërinë e ushtarakëve tanë, si dhe orientimin që duhet ndjekur Komanda e Logjistikës si motorri i ushtrisë.”, bëri të ditur Mehaj.
“Gjeneral Hazirin e përgëzova për profesionalizmin e lartë që kanë treguar ushtarakët tanë në operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi, dhe po ashtu u premtova mbështetje të pakursyer që Qendra Ndërkombëtare e Trajnimit të Kërkim-Shpëtimit të operoj me kapacitetet maksimale, bazuar në profesionalizmin e ushtarakëve dhe gatishmërinë që kemi për të bashkëpunuar me forcat e shteteve partnere për të qenë kontribues në operacione ndërkombëtare e në çdo mision të NATO-s.
Kuadro, disiplinë, dhe rritja e fuqisë së zjarrit janë prioritete për të cilat nuk bëjmë kompromise.
Forca e Sigurisë së Kosovës, ushtri vigjilente që garanton sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e territorit të Republikës së Kosovës.”, shtoi tutje./FolDrejt/