Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se Kosova, pas 11 vjetësh, është afër strategjisë së re të sigurisë së saj.
Sipas tij, kjo strategji parasheh mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajtjen e rendit kushtetues, sigurinë njerëzore si dhe integrimin në mekanizma ndërkombëtarë.
“Pas 11 vjetësh, Kosova afër strategjisë së re të sigurisë së saj. Sot në mbledhjen e 86-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga 23 vendimet e saj, ka shqyrtuar dhe miratuar Strategjinë e Sigurisë së Kosovës për pesë vitet e ardhshme (2022-2027). Strategjia paraqet objektiva të ndërlidhura me interesa shtetërore, siç janë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurisë publike, siguria njerëzore dhe zhvillimi shoqëror, si dhe integrimi në struktura euroatlantike dhe mekanizmat tjera ndërkombëtarë”, ka shkruar Mehaj në facebook.
Mehaj tha se pas miratimit të kësaj strategjie edhe nga kuvendi, Sekretariati i Këshillit të Sigurisë do të ngarkohet me zhvillimin e planit të veprimit, sistemit të monitorimit, si dhe vlerësimit për zbatimin e saj.
“Ne, Ministria e Mbrojtjes, mezi presim miratimin e saj, mbi bazën e së cilës do të ridizajnojmë Strategjinë e Mbrojtjes, si dokumentin tonë kryesor strategjik, si dhe më pas do të hartojmë edhe Strategjinë e parë Ushtarake të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Mehaj.