Me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit bilateral, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot realizoi një bisedë telefonike me Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar.
Me këtë rast, dy ministrat biseduan për zhvillimet gjeopolitike pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe ndikimit të tij në aspektin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë, transmeton Fol Drejt.
Gjithashtu, ata biseduan për stadin aktual të realizimit të projekteve të përbashkëta dhe shtyrjen përpara, në kuadër të planit të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ndër të tjera, ata u pajtuan edhe për intensifikimin e angazhimit të përbashkët në të ardhmen në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë.
Duke njohur pozicionin e rëndësishëm të Turqisë në kuadër të Aleancës Veriatlantike, Ministri Mehaj e falënderoi Ministrin Akar edhe për mbështetjen e deklaruar zyrtare për procesin e përshpejtuar të Republikës së Kosovës në NATO./FolDrejt/