Në Samitin e Ballkanit Perëndimor, i organizuar nga The Economist në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, mori pjesë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, në panelin “Investimet në Ballkanin Perëndimor për Rritje të Qëndrueshme”.
Në fjalimin e tij, ministri Murati ka folur në lidhje me masat e marra nga Qeveria e Kosovës për t’i përballuar pasojat ekonomike fillimisht nga pandemia COVID-19, e pastaj edhe nga kriza inflacionare e përkeqësuar nga lufta në Ukrainë.
“Me këtë rast, menaxhimi i mirë i financave publike e prioritizimi i mbështetjes ndaj grupeve më në nevojë, subvencionimi i tarifave të energjisë elektrike, e së fundmi edhe mbështetja ndaj bizneseve prodhuese kanë ndikuar që ekonomia e Kosovës t’i përballojë më lehtë krizat globale, e të vazhdojë të ketë rritje poziteve edhe gjatë këtij viti” – bëhet e ditur në kumtesën e kësaj ministrie, transmeton Fol Drejt.
Tutje, ministri Murati u fokusua edhe në rolin e institucioneve ndërkombëtare financiare si mbështetëse të rëndësishme të qeverisë për zhvillimin e projekteve kyçe infrastrukturore. Sipas tij, qeveritë duhet të jenë proaktive dhe të përkushtuara që nevojat që identifikohen gjatë procesit politikëbërjes të adresohen me institucionet ndërkombëtare financiare, ashtu që financimi i tyre të jetë sa më i përballueshëm./FolDrejt/