Në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës të mbajtur sot, Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Pecit iu miratua propozim-vendimi për kompensimin e dëmeve në sektorin e bujqësisë, të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, siç janë: erërat e forta, breshëri, vërshimet, përmbytjet dhe ngricat.
Mbi 2.8 milionë Euro është shuma e mjeteve të ndara për kompensimin e dëmeve për bujqit vendor të cilët pësuan nga fatkeqësitë natyrore në aktivitetin bujqësor të tyre, transmeton Fol Drejt.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të mbuloj 82% të dëmeve në bujqësi për 22 komuna të vendit të cilat raportuan në Komisionin për shqyrtimin e raporteve për dëmet që u janë shkaktuar në komunën përkatëse.
Kompensim të dëmeve në vlerë totale prej 2.826.464,05 Euro do të përfitojnë fermerët nga komuna e Deçanit, Drenasit, Ferizajt, Gjakovës, Gjilanit, Istogut, Junikut, Kamenicës, Leposaviqit, Lipjanit, Malishevës, Mitrovicës, Novobërdës, Komuna e Obiliqit, Pejës, Podujevës, Prishtinës, Rahovecit, Shtimes, Skenderajt, e Vitisë dhe komuna e Vushtrrisë./FolDrejt/