Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci i shoqëruar nga Ministri i Ministrisë Federale Gjermane të Ushqimit dhe Bujqësisë, Cem Ozdemir dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio ka vizituar Panairin “Fruit Logistica”, i cili po mbahet në Berlin të Gjermanisë, transmeton Fol Drejt.
Gjatë kësaj vizite, Ministri Peci pati rastin që të zhvillojë një bashkëbisedim me të dy ministrat rreth potencialit që kanë shtetet e tyre dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm në sektorin e bujqësisë.
Ndërkaq, në “Fruit Logistica” produktet e tyre janë duke i promovuar edhe prodhues nga Republika e Kosovës, të cilët gjatë vizitës Ministri i përgëzoi për përfaqësimin mjaft dinjitoz të Kosovës përmes sjelljes së prodhimeve cilësore para konsumatorit evropian.
Me këta rast, Peci u premtoi prodhuesve kosovarë që politikat institucionale do të jenë gjithmonë në të mirë dhe në zhvillim të sektorit të bujqësisë.
Ndryshe, Panairi “Fruit Logistica” është arena më e rëndësishme e biznesit dhe komunikimit në tregtinë ndërkombëtare të produkteve të freskëta dhe çdo vit ky panair mirëpret rreth 85 shtete pjesëmarrëse. Gjatë këtij panairi bizneset kanë mundësi të krijojnë lidhje të reja me potencial për zhvillim të agro-bizneseve brenda tregut ndërkombëtar të prodhimeve të freskëta./FolDrejt/