Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka vizituar fermën e vëllezërve Beqiraj nga fshati Baballoq i komunës së Deçanit, të cilët kanë rreth 300 dele e qingja.
Ministri i BPZhR, Faton Peci i përgëzoi vëllezërit Beqiraj për punën dhe përkushtimin e tyre në kultivimin e racës së deleve autoktone Bardhoka, e cila njihet ndryshe si “delja e bardhë”.
“Mbetem i përkushtuar që përmes shembujve të tillë që duhen ndjekur, të hartojmë politika mbështetëse konkrete. Përmes fondit blegtoral me anë të Programit për Zhvillim Rural 2023, synojmë rritjen e drejtëpërdrejt të numrit të bagëtive të imta por jo vetëm, në gjithë territorin e Kosovës”, shtoi me këtë rast Peci.
Në baza ditore, ferma e vëllezërve Beqiraj prodhon rreth 60 litra qumësht dhe 40 kg djathë në ditë. Përveç bylmetit, ata furnizojnë edhe me mish restoranin e po kësaj familje duke përmbyllur me sukses ciklin e prodhimtarisë nga ferma në tryezë.
Vëllezërit Beqiraj, përpos deleve kanë edhe rreth 20 lopë e viça, transmeton Fol Drejt.