Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka njoftuar se sot ka vizituar bletarin Nikolla Antiq në fshatin Hajnoc të Komunës së Kamenicës, ndërsa tha se pret që të rritet numri i aplikuesve për subvencione nga komunitetet pakicë, shkruan Fol Drejt.
“Në kuadër të dialogut të brendshëm me komunitetet jo-shumicë sot vizitova bletarin Nikolla Antiq në fshatin Hajnoc të Komunës së Kamenicës. Nikolla është një nga rreth 2000 bujqit nga rradhët e komuniteteve, i cili është përfitues i Programit për Pagesa Direkte / Subvencione 2022 e njëherit edhe aplikues për vitin 2023. Këtë vit presim rritje të theksuar të numrit të aplikuesve / përfituesve nga rradhët e komuniteteve. Poashtu ai ka përfituar grant nga Ministria e Bujqësisë për veprimtarinë e tij.”, shkroi Peci në Facebook
Peci theksoi se 3 milionë euro është shuma e përfituar nga komunitetet jo-shumicë, në total për sipërfaqe të mbjellura, blegtori, bletari e agro-biznese në kategorinë e subvencioneve dhe granteve për vitin 2022.
Ai shtoi se Nikolla përveç se profesion, ai përkujdeset me pasion për bletët, ku posedon rreth 100 koshere ndërsa përveç mjaltit ai prodhon dhe nënprodukte tjera bio.
“Jemi në proces të vlerësimit administrativ për subvencionet 2023 ndërsa perkrahja per komunitetet jo-shumicë këtë vit do të jetë më e madhe se 3 milionë”, tha në fund ministri Peci. /FolDrejt/