Ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu deklaroi sot se Moska është e vetëdijshme lidhur me përpjekjet e Kievit që të ndërtojë “bombën bërthamore të pistë” dhe gatishmërinë që armët bërthamore të NATO-s të vendosen në territorin ukrainas.
“SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian i injorojnë kërcënimet bërthamore të Ukrainës, përfshirë thirrjet e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy që të kryhen sulme parandaluese bërthamore ndaj Rusisë”, tha Shoygu në një takim të bordit të përbashkët ushtarak Rusi-Bjellorusi, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Është e qartë se situata aktuale është kryesisht në dobi të SHBA-së. Washingtoni përpiqet ta shfrytëzojë këtë që të ruaj dominimin global dhe të dobësojë sa më shumë vendet e tjera, përfshirë aleatët e saj në Evropë”, tha ai.
“Perëndimi inkurajon konfliktin në Ukrainë, duke dërguar armë në vend dhe duke siguruar të dhëna të inteligjencës, mercenarët, informacione të pagave dhe luftën e sanksioneve kundër Rusisë”, thekson ai.
Sipas ministrit rus, qëllimi i “përpjekjeve shkatërruese të Perëndimit kolektiv” është të shkatërrojë ekonominë dhe potencialin ushtarak të Rusisë, për këtë NATO synon të kalojë në krijimin e një sistemi të mbrojtjes në shkallë të plotë në krahun lindor pranë kufijve të Rusisë dhe të krijon grupe të reja shumëkombëshe në Evropë – në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki.
“Grumbullimi i NATO-s pranë kufijve të Rusisë është rritur dy herë e gjysmë që nga shkurti, duke tejkaluar 30 mijë persona, në të ardhmen e afërt mund të rritet edhe më shumë”, shtoi Shoygu.
Për t’iu kundërvënë kërcënimeve, Moska dhe Minsku do të vazhdojnë të formojnë një hapësirë të unifikuar mbrojtëse, theksoi Shoygu.
Ai rikujtoi se që nga 22 tetori, ministritë e Mbrojtjes të të dy vendeve zbatojnë përshtatjen luftarake të njësive të grupit ushtarak rajonal.
“Bjellorusia ka qenë dhe mbetet një aleat besnik dhe partner i besueshëm. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur tensionet po rriten me shpejtësi në botë, themelet e stabilitetit strategjik po shkatërrohen dhe konfrontimi midis Perëndimit dhe Rusisë po intensifikohet”, tha ai./FolDrejt/